Udhëzime mbi agjërimin
Mehas Alija / St. Gallen
Secila gjë në ekzistencë ka urtësinë, fadiletin e tij, vetëm se duhet njohur atë. Disa gjëra janë të një vlere shumë të madhe, ndërkohë që disa të tjera janë më pak të vlefshme dhe më pak të rëndësishme, mirëpo, nuk ka diçka që ka krijuar Zoti e të mos ketë vlerë dhe të jetë e parëndësishme. Është detyrë e njeriut që t’i njohë urtësitë dhe vlerat e gjësendeve, fenomenve, njerëzve, obligimeve, etj. Të kësaj natyre janë edhe urdhëresat dhe ndalesat e Allahut të Madhërishëm, të cilat, s’do mend se janë në dobinë dhe për të mirën e njeriut. Një nga adhurimet më të rëndësishme të diskutuara dhe studiuara më shumë është dhe agjërimi.
Agjërimi, duke e futur besimtarin në një edukim shpirtëror, i mundëson atij që ta çlirojë shpirtin dhe trupin nga gjynahet e mbledhura gjatë kohës. Janë një sërë citatesh kuranore dhe profetike të cilat dëshmojnë për këtë mirësi të madhe të këtij adhurimi të veçantë. Është shumë e rëndësishme që njeriu të ushqejë besimin, mendjen, zemrën dhe shpirtin gjatë Ramazanit, në mënyrë që të zbërthejë në qenien e vet urtësitë e mëdha të agjërimit. Nga të mirat e agjërimit, po ashtu, është edhe ajo se ai e mbron besimtarin në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë kontekst kemi një hadith të profetit të Zotit, Muhammedit a.s., i cili, në një rast, një shokut të tij, Muadh ibn Xhebelit, i pati thënë: “A dëshiron të të udhëzojë kah dyert e mirësisë?” Atëherë agjëro, sepse agjërimi është mburojë, ndërsa sadakaja i shlyen mëkatet, ashtu sikuse uji e shuan zjarrin”.
Një tjetër bukuri dhe gëzim është edhe agjërimi i të rinjve dhe të rejave në Ramazan, të cilët, për hirë të Zotit, pranojnë që përkohësisht t’iu shmangen dëshirave kalimtare të kësaj bote. Zoti i gjëthësisë, agjëruesit e rinj, i ka krahasuar edhe me melekët, ku në një hadith kudsi thotë: “O ti i ri, që për hatrin Tim ke lënë pasionin tënd, ti që për Mua sakrifikon rininë tënde, vlera jote tek Unë është sikur e një melaqes time.” Me fjalë të tjera, me agjërim forcojmë bindjen në Zotin, forcojmë lidhjen me besimin, ngrisim moralin, freskojmë shpirtin dhe ripërtërijmë qenien tonë.
Artikulli është shkruar për revistën kuartale në Zvicër Fjala – www.fjala.ch
Lexoni artikullin e plotë në PDF