Dëgjojmë dhe respektojmë, apo…?
Mr. Ferit Zeqiri
Falenderimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh., kurse salevatet qofshin mbi Muhamedin alejhis-selam.
Ajete kuranore janë të shumëta të cilët na urdhëronjë që vetëm Allahut dhe të dërguarit të Tij ti bindemi dhe ta respektojmë, Allahu xh.sh. thotë: “E bindjuni Allahut dhe të dërguarit, ashtu që të mëshiroheni” (Ali Imran-132). “Thuaj: Binduni Allahut dhe të dërguarit, e nëse ata rrefuzojnë, atëherë Allahu nuk i do pabesimtarët” (Ali Imran- 32).
Allahu dhe i dërguari i Tij na kanë obliguar me adhurime të ndryshme, duke i kryer ato në mënyra të ndryshme, na kanë obliguar me adhurim trupor si namazi, agjërimi; me adhurim material si zekati, sadakatul-fitri; me adhurim materialo-trupor si haxhi etj. Por sa jemi të përgatitur dhe të gatshëm që këto urdhëra të Allahut xh.sh. ti zbatojmë dhe sa jemi të gatshëm që të ndryshojmë nga gjendja jonë, në veçanti gjatë këtij muaji të bekuar.Moskujdesi ndaj namazit është bërë si diçka normale, të fituarit e pasurisë me harami sikur është bërë rruga më e preferuar ekonomike, përcjellja e serialeve filmike është bërë si një gjë e patjetërsueshme nëpër familjet muslimane. Në këto ditë të Ramazanit sa shpesh po dëgjohet pyetja “si do të agjërojnë” në këto ditë të gjata e të nxehta. Dhe zakonisht kjo pyetje parashtrohet nga ata të cilët nuk e agjërojnë muajin e Ramazanit dhe as që janë në gjendje të kryejnë ndonjë obligim apo urdhër të Allahut xh.sh.Dhe ne ju themi: mos brengoseni se si do të agjërojmë ne, por brengoseni se si do të jepni llogari para Allahut xh.sh. për mos agjërimin tuaj. Kurse besimtari i vërtetë kur i dëgjon urdhërat e Allahut dhe të dërguarit të Tij, ai shpejton në zbatimin e tyre pa asnjë hamendje. Allahu xh.sh. thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës” (Ahzab-36). Do të thotë nuk i lejohet asnjë besimtari që të bëjë zgjidhje në urdhërat e Allahut dhe të dërguarit të Tij, por obligohet që ti nënshtrohet urdhërit të tyre po edhe nëse është në kundërshtim me epshin apo dëshirën e tij. Ashtu si që u është kërcnuar Allahu xh.sh. atyre që e kundërshtojnë urdhërin e Tij dhe të dërguarit, Allahu xh.sh. thotë: “… prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët” (Nur- 63). Pra, le të jetë i kujdesshëm sepse dënimi përfshin këtë dhe botën tjetër.
Kurse shokët e Muhamedit a.s. me të dëgjuar urdhërat e Allahut apo të dërguarit shpejtonin në zbatimin e menjëhershëm të tyre. Rastet dhe shembujt janë të shumtë por nga ato do t’ju kujtojmë, rastin e ndryshimit të kibles nga Bejtul Makdisi në drejtim të Qabes, pasi që u erdhi urdhëri i Allahut xh.sh.: “Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe ku do që të jeni kthehuni kah ajo anë”(Bekare- 144). Dhe një njeri që kishte falur namazin me Pejgamberin a.s. i takoi njerëzit në xhaminë e Kibletejnit (xhamia me dy kible), në namazin e ikindisë dhe ju tha: Dëshmojë në Allahun se e kam falur namazin me Pejgamberin a.s. në drejtim të Qabes, dhe njerëzit u kthyen kah Qabeja dhe ata duke qenë në namaz.
Gjithashtu kur u ndalua alkooli, tregon Enesi r.a. dhe thotë: isha duke i shërbyer njerëzit me alkool në ditën kur ai u ndalua në shtëpinë e Ebu Talhës, dhe një njeri thirri: Me të vërtetë alkooli u ndalua rreptësisht. Ebu Talha më tha: Dil dhe derdhe, dhe unë e derdha ate. Dhe kjo nuk ishte e lehtë për një popull që ate e pijshin në vend të ujit, por ata kur i dëgjonin urdhërat e Allahut jo vetëm që i dëgjonin por edhe i respektonin.
Kështu ishte edhe me çështjen e mbulesës, pasi që Allahu xh.sh. e shpalli ajetin :”Ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vëjnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues“ (Ahzab-59). Dhe ato gra aspak nuk u hamendën por zbatuan urdhërin e Allahut duke mbuluar kokat dhe trupat e tyre, sepse Ai e di më së miri se çka është më mirë për to. Dhe nuk i takon muslimanit që të bëjë zgjidhje në urdhërat hyjnore, Allahu xh.sh. thotë: “Kur thirrën besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: “Dëgjuam dhe respektuam!” Të tillët janë ata të shpëtuarit.Kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ia ka frikën Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do të arrijnë atë që dëshirojnë” (Nur- 51,52).
Dhe çka është gjendja e besimtarëve dhe besimtareve të sodit kur i dëgjojnë urdhërat e Allahut apo të dërguarit të Tij, a thonë: Dëgjuam dhe respektuam, apo dëgjuam dhe kundërshtuam. Cilësi e cila nuk ka qenë te muslimanët e parë dhe as që u takon muslimanëve. E lusim Allahun xh. sh. që të na bëjë prej atyre që i dëgjojnë, respektojnë dhe i zbatojnë në vepër urdhërat e Tij dhe të Pejgamberit a.s.