Duam islam tradicional?!
Mr. Ferit Zeqiri
Kohëve të fundit dëgjojmë zëra të ndryshëm si: islam tradicional, radikal, fundamental, modern, bashkëkohorë, gjithashtu dëgjojmë: islam i lindjes, perëndimit, islam arab, afrikan….etj, etj, dhe kjo na bënë të pyesim sa lloje të islamit kemi? A është islami një apo i shumëllojshëm?
Për muslimanët të gjitha këto janë të papranuara, dhe kuptohet se thënjet e këtilla kanë qëllime të caktuara. Allahu xh.sh. na tregon se kjo fe është plotësuar dhe përsosur që me përfundimin e shpalljes së Kuranit, në suren Maide Allahu xh.sh. thotë: “ Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe” (Maide – 3). Cilin islam ka përqëllim Allahu xh.sh., të lindjes apo të perëndimit, arab apo joarab….? Allahu xh.sh. ka përqëllim islamin origjinal të bazuar në Kuran dhe sunet (traditën profetike), dhe ai është një islam, dhe jo islam i shumëllojshëm.
Por nëse i pyesim ata se çfarë keni për qëllim me islamin tradicional? Ata përgjigjen: Fenë e të parëve tanë! Edhe pse të parit e tyre ndoshta nuk kanë qenë sa duhet të udhëzuar në fenë e Allahut xh.sh., ashtu siq thotë Allahu xh.sh.: “E kur u thuhet atyre: “Pranoni atë që Allahu e shpalli!” Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë!” Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin)?” (Bekare – 170). Poashtu ekziston frika se mos po na e ndryshojnë fenë, ashtu siq frikoheshte Faraoni nga Musa a.s. dhe iu drejtua popullit të vet duke i thënë: “Faraoni tha: “më lini mua ta mbys Musain, e ai le të thërrasë Zotin e vet, pse unë kam frikë se po ua ndryshon fenë tuaj, ose po nxit trazira në vend!” (Gafir – 26). Apo thonë: duam islamin që e praktikonin gjyshërit dhe gjyshet tona! Por nëse dakordohemi edhe me këtë islam ata përsëri nuk do ta pranonin. Përshembull, do të kishim pranuar islamin që praktikonte gjyshja jonë, por ajo ishte me shami, e mbuluar (me hixhab), në këtë rast do të na përgjigjen: këtë islam nuk e pranojmë se ajo ka qenë e prapambetur, apo nuk ka qenë e emancipuar apo….! Zërat që thërrasin se duam islam pa mjekrra dhe se kjo na qenka risi dhe nuk është islam tradicional, nuk ka të bëjë me të vërtetën, sepse mjekrra ekziston me fillimin e islamit, bile Pejgamberët e Allahut kanë patur mjekrra, dhe padyshim se shembëlltyrë më e mirë për ne është Muhamedi a.s., që nuk shënohet se e ka hjekur ndonjëherë mjekrrën e tij, po bile as që e ka shkurtuar. Gjithashtu pas tij sahabet (shokët) e tij, dijetarët islam dhe hoxhallarët e vjetër. Por nga regjimi komunist janë detyruar ti hjekin, ashtu siq kanë qenë gratë të detyruara të hjekin shaminë, apo ndalimi i thirrjes së ezanit nëpër minare etj. Por mos të harrojmë se kjo ka ndodhur në komunizëm dhe tash jetojmë në demokraci. Pra, mjekrra nuk është e re për muslimanët, nuk është mjekërra prej pas luftrave të fundit që ndodhën në trojet tona, por ajo ka ekzistuar edhe përpara. Por me këtë, tentohet që të ndryshohen ligjet e Allahut xh.sh. në tokën e Tij, ashtu siq tentohet shpesh herë që hallalli të shëndrrohet në haram dhe harami në hallall. Sa i përket kësaj po ilustrojë një ngjarje që ka ndodhur në Tunisi gjatë ish regjimit të Zejnulabidin bin Ali, që një nga ndalesat ka qenë poligamia. Përderisa një njeri ishte martuar me gruan e dytë (që sipas parimeve islame është e lejuar nëse plotësohen disa kushte), por me ligj kjo ishte e ndaluar. Dhe me të dëgjuar ligjvënësit, e burgosin njeriu. Pasi që e nxjerrin para gjyqit e pyesin: A e di se poligamia është e ndaluar me ligj? Ai përgjigjet: Po, e di! Atëherë përse nuk e ke respektuar ligjin dhe je martuar edhe me një grua? Ai përgjigjet: Jo, ju e keni gabim, ajo nuk është gruaja ime e dytë, por ajo është e dashura ime ! Kur e dëgjuan këtë përgjigje, i kërkuan falje dhe e lanë të lirë. Pra sikur të kishte pranuar se është gruaja e tij e dytë (që ashtu ishte), njeriu do të burgoseshte, por pasi që tha se gjoja është dashnorja e tij u la i lirë. Pra hallallin e kishin ndaluar dhe haramin e kishin lejuar, ashtu siq veprohet edhe në shumë vende të botës.
Ne jemi të bindur se ndryshimet do të vijnë edhe për të mirën e popullit tonë, si lejimi i mbulesës, mësim-besimi nëpër shkolla etj, sepse kjo është një ligj i Allahut xh.sh., dhe a posedon dikush fuqi që të ndalojë ligjet e Krijuesit, a mund dikush ta ndalojë që mos të lind dielli apo mos të perëndojë, a ka fuqi që mund ta ndalojë mos të agojë mëngjesi apo mos të kaplojë errësira? Assesi ! Allahu xh.sh. thotë: “ (Largim) Për shkak të mendjemadhësisë dhe dredhisë së keqe, por dredhia e keqe nuk godit tjetër vetëm ata që kurdisën. Pra ata nuk janë duke pritur tjetër vetëm gjurmët e të parëve, e në ligjin e Allahut kurrë nuk do të hasësh devijim”. (Fatir – 43). Pra askush nuk mund të ndalojë apo ndryshojë urdhërin, dëshirën e Allahut.