“Heronjtë” e ëndërrave
Bashkim Aliu
Që nga fillimi i antirevolucionit në Egjipt, gjë që qartë dhe fuqishëm u pa në muajin Qershor të këtij viti, u përdorën mënyra dhe mekanizma të ndryshëm për legalizimin e depërtimeve të klanit ushtarak në jetën politike dhe shoqërore të Egjiptit. Të prirur nga thënia se “ajo që nuk mund të arrihet e tërë, nuk lehet e tërë“, estabilishmenti laik i ndezi të gjithë motorët e tij për t‘ua prerë rrugën atyre që e përmbysën Mubarakun dhe regjimin e tij disa dekadësh. Normalisht, krahas forcës, lypej edhe dinakëri, me qëllim që rikthimi i pushtetit të Mubarakut mos të demaskohet si i tillë, gjegjësisht mos të ndërgjegjësohet populli se u kthye Mubaraku dhe regjimi i tij, por të mendojnë se bëhet fjalë për strukturë tjetër, me koncept tjetër, e cila në fakt, e kundërshton ish regjimin si të gjitha forcat tjera që e mbështetën revolucionin e pranverës arabe në Egjipt. Për këtë qëllim, u formuan fronte kundër pushtetit të ri të dalë nga lëvizjet islame, dhe u quajtën “Front i shpëtimit“, duke aluduar me këtë se e shpëtojnë Egjiptin nga grushti i islamistëve. Në fakt, fronti i këtillë kishte për obligim ta përgatiste terenin për ndërhyrjen e ushtrisë dhe përmbysjen e pushtetit të dalë nga zgjedhjet e para të organizuara pas përmbysjes së pushtetit autoritar të Mubarakut. Ky ka qenë plani i përgatitur që kur plasi pranvera arabe edhe në Egjipt, ngase veç është menduar për rikthimin e regjimit të Mubarakut me petk tjetër dhe me performanca tjera, që të ndalen lëvizjet islame dhe të privohen nga ngjitja në skenën politike, e jo të shpëtohet Mubaraku, ngase politikës së tillë vërtet i ka dalur boja.
Mirëpo, në historinë e jetës politike në Egjipt, nuk kemi vetëm taktizime të këtilla me palë laike, që nuk ka nevojë të shpjegohen si të tilla, ngase palët e të ashtuquajturit “Fronti i shpëtimit“ qartë janë laike, por taktizime të këtilla ka patur edhe me palë që janë thirrur në emër të lëvizjeve islame. Kështu, pa mos shkuar shumë larg, ish presidenti i Egjiptit, Enver Sadat, luftimin e lëvizjeve islame e bëri pikërisht me lëvizje islame, sajesa të pushtetit. Me fjalë tjera, duke e parë se “Vëllezërit muslimanë“ paraqesin forcë reale në Egjipt dhe një lëvizje me shtrirje dhe ndikim të gjërë në botë, ai vendosi që këta mos i luftojë vetëm si pushtet, por duke inicuar themelimin e lëvizjeve dhe grupimeve të cilat do të thirren në Islam, me qëllim që ta ndalojnë hovin e lëvizjes së mirëfilltë islame. Këto grupime u themeluan nga pushteti dhe nga shërbimet sekrete që ta dobësojnë ndikimin e lëvizjeve të vërteta islame në masë, apo, më së paku, t’ua ngatërrojnë njerëzve çështjen e lëvizjeve islame, që do të ishte një sukses jo i vogël i pushtetit kundër lëvizjeve islame. Po ky trend nuk u ndal në asnji moment në Egjipt. Kjo u përdor edhe me rastin e pranverës arabe, ku lëvizjet e mirëfillta islame, në mënyrë më efikase, mund të luftohen, apo të pengohen, ose eventualisht qëndrimet e regjimit ushtarak dhe të grushtshtetit të përgatitur që më parë, të legalizohen dhe justifikohen, me mbështetje të grupimeve politike të cilat do të thirren në emër të Islamit. Realisht, kjo edhe u pa me rastin e grushtshtetit kundër presidentit Mursi. Po qese analizohen rrjedhat e gjellës së përgatitur që më parë, do të shihet se prezenca e partisë së quajtur “Nur“, e cila pas grushtshtetit nga shumë analistë u quajt partia “Zur“(fallco, gënjeshtare), ka të ngjarë të jetë pjesë e këtij skenari. Pa mos pretenduar të jepen vlerësime kategorike, por, në bazë të rrjedhave, fitohen përshtypje se qëndrimet e tyre flasin për atë se: ata ose janë sajesë e shërbimeve sekrete të Egjiptit që ti dalin në ballë forcës më të madhe që përfaqëson lëvizjen islame në Egjipt dhe më gjërë “Ihvanëve“, ose e kanë bërë nga axhamillëku në politikë dhe përvoja e varfër në këtë fushë, që janë të nevojshëm për zeqat dhe sadaka në këtë drejtim, ose e kanë bërë nga ajo se drejtimi i tyre përcaktohet jashtë Egjiptit, diku në pallatet e disa vendeve të Gjirit Arab dhe se ata nuk kanë të drejtë vetë të mendojnë dhe të marrin vendime, por vetëm të zbatojnë atë që dikush tjetër e vendos për ata.
Por,ajo që të iriton edhe më tepër në krejt këtë nuk është vetëm puna e shërbimeve të inteligjencës, qofshin egjiptase, arabe apo të huaja, por tallja e grushtshtetit me popullin e Egjiptit. Nuk besoj se ndonjëherë aq tepër është nënçmuar populli i Egjiptit, sikur kësaj here nga ana e puçistëve gjaksorë. Bile, nuk di a thua edhe në kohën e faraonëve ka ndodhur një tallje dhe nënçmim i këtillë i popullit të Egjiptit, edhe pse zullumi ka qenë prezent. Që më herët, në një inçizim, i cili u cilësua si i përvjedhur, nga një tubim i personaliteteve ushtarake në Egjipt, ish muftiu i Egjiptit, Ali Xhumua, përndryshe i afërt me pushtetin dhe një figurë kyçe e justifkimit të veprimeve të pushtetit në emër të veshjes së ulemave të Az’harit, deklaroi se intervenimi famëkeq i ushtrisë egjiptase, ndaj protestuesve në sheshin Rabia el-Adevije, dhe në disa sheshe tjera në Egjipt, ka qenë i arsyeshëm bazuar në ëndërat që i ka parë ai dhe disa njerëz tjerë, të cilët ai i quan “evlija“. Sipas këtyre ëndrave, ushtria është dashur që në këtë mënyrë të veprojë me protestuesit të cilët kërkonin mbrojtjen e legjitimitetit dhe votës e vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet presidenciale në Egjipt. Nuk besoj se kjo çmenduri e llojit të vet kërkon koment shtesë, ngase është e qartë se me çfarë papërgjegjshmërie dhe nënçmimi e trajtojnë popullin e vet, dhe që është më e keqja, me çfarë idiotizmi dhe tallje i legalizojnë krimet mbi popullin.
Ëndrrat e legjitimimit të “heronjve“ të betejës së Rabia el-Adevijes ku u vranë mbi njëmijë protestues, në mesin e të cilëve kishte edhe gra e të rinj, nuk ndalen në ëndrat e ish muftiut dhe evlijave të tij, por në këtë stad është ngritur edhe kreu i dukshëm i grushtshtetit Sisi, i cili në një inçizim tjetër, poashtu të cilësuar si i përvjedhur, thotë se e ka parë në ëndër ish presidentin e Egjiptit, Enver Sadat, dhe ka biseduar me të, dhe ai i paska thënë se ky duheshka të bëhet president i Egjiptit. Ja, kështu Sisi e përgatit terrenin e ardhjes së tij për president, ngase amanet ia paska lënë ish presidenti, në një bisedë që paska zhvilluar me të në ëndër.
Mund të thotë kush çka të don, dhe të jep vlerësime se kjo është hajgare dhe nuk duhet marrë serioze, apo se është një budallaki e Sisit. Por, kjo para se të jetë e tillë, është nënçmim për popullin e Egjiptit dhe për elitën, ngase Sisi dhe grushtshteti, popullin dhe elitën, i shohin vetëm përmes ëndrave. Kështu veprojnë klanet e tiranëve kriminel, edhe të vrasin, edhe tallen. Për këtë shkak edhe i luftojnë me të gjitha forcat lëvizjet e mirëfillta islame, të cilat e respektojnë njeriun dhe popullin, me atë që pranojnë të udhëheqëin me shtetin, vetëm nëse këtë detyrë ua beson populli me vota të lira. Krahasoni qëndrimin e lëvizjeve të mirëfillta islame ndaj popullit dhe pushtetit, me qëndrimin e grushtit të shtetit dhe laikëve, të cilët ndaj popullit sillen me nënçmimin më të madh që munden. Edhe intelektuali suedez Ingmar Karlsson pat shkruar se lëvizjet islame janë „kërcënim për dinastitë familjare dhe për shtetet njëpartiake. Prandaj, alternativë e qeverisjes islame sot janë mbretërit ose regjimet ushtarake jo të rrënjosur në demokraci, diktaturan të maskuara në retorikën panarabe dhe islame, ose në demokraci formale që në realitet janë sisteme një partiake me kozmetikë demokratike“.
Kështu, “heronjtë“ e betejës së përgjakshme të Rabia el-Adevijes u bënë “heronjë“ falë ëndrave të ish muftiut të Egjiptit dhe evlijave të tij, dhe tash, edhe presidenti do të bëhet falë ëndrës së gjeneralit të betejës së Rabia el-Adevijes, ku e masakroi popullin e vet, dhe tash do të kthehet ta menaxhojë shtetin. Krejt këto role, këta i kanë marrë në ëndër. Çudi, nuk duket se flejnë kaq gjatë, marrë parasyshë preokupimet e mëdha për luftimin e popullit dhe shuarjen e lëvizjeve islame. Dhe tjetra, a thua edhe perëndimi, që mbahet për laik, do t’u besojë ëndrave të ish muftiut, komandantit të betejës së Rabia el-Adevijes, kriminelit Sisi dhe evlijave tjerë të tyre? Apo, dikujt i vinë mirë këto tallje me popullin, në emër të popullit dhe kundër popullit?!