Hixhreti – Udha e ngjadhnjimit
Hixhreti i muslimanëve në krye me të Dërguarin e Allahut, Muhamedin s.a.v.s., në Medine, ngjarje kjo e cila u etablua si bazë e kalendarit islam, paraqet një nga përvojat më të frytshme historike të fitores dhe avansimit të kauzës islame, jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm. Hixhreti i promovoi muslimanët botërisht si komunitet me vizion të qartë dhe alternativë e botës, promotor i vlerave të vërteta dhe ndërtues i një bote të re të ndërtuar mbi parimet e së vërtetës dhe drejtësisë. Me theks të veçantë, hixhreti simbolizon udhën e fitores bindëse dhe shpalimit të garancës së humbjes së sigurtë të injorancës, bestytnive dhe platformës së kufrit.
Hixhreti i muslimanëve tregoi se ishte koha dhe ishin pjekur kushtet që muslimanët të ndrrojnë vend, që ballafaqimi me idhujtarinë dhe injorancën të merr përmasa tjera dhe të kalon në nivele tjera. Botës i duhej opcioni i shëndoshë i mishëruar në misionin islam të cilin e bart umeti islam, për atë, komuniteti musliman duhej lëvizur dhe ndrruar vend, që vlerat të cilat i mban të përhapen me një dinamikë tjetër nga ajo që diktonin rrethanat në periudhën mekase dhe realiteti i shoqërisë mekase.
Në fakt, ngadhnjimin e konceptit islam dhe avansimin e tij në arenën botërore, e paralajmëruan dy hixhretet e më parshme të dy grupeve të kufizuara të muslimanëve në Abisini (Etiopi), para se të ndodh hixhreti i madh i muslimanëve nga Meka në Medine. Me të shkuar në Abisini, muslimanëve iu dha rasti që të ballafaqohen në një teren neutral me palën idhujtare, dhe aty ta promovojnë pa trysni injorante platformën dhe konceptin e vetë të besimit, botëkuptimet dhe qasjen e fesë islame ndaj botës, njeriut dhe jetës. Pikërisht me shkuarjen në Abisini, u dha mundësia e shpalosjes së fragjilitetit të besimit politeist, i cili mbahej në jetë nga dhuna dhe trysnia e injorantëve, të cilët nuk mendonin me logjikë të shëndoshë rreth asaj të cilës i besonin, por thjeshtë i bindeshin symbyllazi traditës së trashëguar idhujtare.
Idhujtarët e Mekes dërguan njerëz në Abisini me dhurata për mbretin abesinas, me qëllim që ta bindin dhe ta fitojnë simpatinë e tij, e ai t’ua dorëzojë këta muslimanë të cilët në thelb i urrenin, por donin t’ua shtojnë ende vuajtjet duke i kthyer në Meke. Megjithatë, pretendimet e tyre shkuan huq, ngase mbreti abesinas nuk rrëshqiti në intrigat idhujtare. Ata e bombarduan mbretin me gënjeshtra se muslimanët të cilët ai i ka pranuar në vendin e tij, nuk janë njerëz të besës dhe të respektimit të traditave shekullore të stërgjyshërve. Krahas kësaj, sipas makinerisë propagandistike idhujtare, këta muslimanë besojnë në mësime të cilat e nënçmojnë edhe njeriun të cilit i beson mbreti si krishter, pra Isain a.s. Mirëpo, mbreti nuk i pranoi të gatshme këto fjalë të rënda që e preknin edhe besimin e tij, dhe që e akuzonin edhe atë në një mënyrë, ngase ka pranuar njerëz të shthurrur dhe të rrezikshëm, të cilët paraqesin forcë serioze e cila i rrezikon të gjithë, përfshi edhe atë si mbret dhe të ardhmen e popullit të tij. Mbreti organizoi një përballje publike mes dy palëve që t’i dëgjon argumentet e palëve, dhe pastaj të gjykojë se a do t’ua dorëzojë apo jo, këta njerëz të cilët ai i kishte pranuar në mbretërinë e tij. Me t’u ballafaquar të dy palët para auditoriumit, dhe shpalosjes së botëkuptimeve, pikpamjeve dhe besimit, u pa superioriteti i besimit islam mbi idhujtarinë. Pas debatit publik mes palëve, mbreti refuzoi t’i dorëzojë muslimanët, por u kërkoi idhujtarëve që menjiherë ta lëshojnë mbretërinë e tij, ngase propaganda e tyre nuk qëndron, sepse argumentet e palës muslimane ishin të qarta, konstruktive, të drejta, bindëse dhe të logjikshme. Për këtë, nuk ishte e drejtë që bartësit e besimit të logjikshëm dhe të drejtë, të dhunohen duke iu dorëzuar bartësve të besimit të deformuar në të gjitha përmasat. Së këtejmi, qe vendim i mbretit se muslimanët janë njerëz të cilët bartin besim të shëndoshë, dhe paraqesin privilegj për mbretërinë e tij, e jo barë dhe rrezik.
Në aspektin formal, idhujtarët dështuan, nuk arritën ta bindin mbretin dhe u kthyen duar bosh. Por, në aspektin përmbajtësor dhe strategjik, idhujtarët e humbën betejën diplomatike dhe doktrinare. Në aspektin e të ardhmes së besimit, idhujtaria dështoi dhe u grushtua, ndërkaq besimi islam u promovua në arenën botërore si alternativë e vetme e shëndoshë për njerëzimin. Ky ballafaqim në një teren neutral, me rastin e hixhretit të këtyre grupeve të vogla të muslimanëve, dha një mesazh të fuqishëm se hixhreti është rruga e fitores, promovimit të vlerave të vërteta dhe kumtimit të mesazhit islam në mbarë botën, ngase rrethanat në Meke, nuk ia ofronin këto mundësi. Dalja jashta Mekes, hapte horizonte të reja për këtë fe madhore, dhe ofronte mundësi të përçimit të mesazhit islam te të gjithë njerëzit. Për këtë, hixhretet në Abisini, ishin një test i suksesit të mesazhit islam me transferimin e muslimanëve në ambiente të reja.
Po ashtu, edhe hixhreti i madh në Medine, është udhë e suksesit dhe fitoreve të muslimanëve në arenën ndërkombëtare. Prej se u transferuan në Medine, muslimanët shiheshin nga bota si faktorë, e jo thjeshtë si një grup i shtypur i cili u shkakton telashe mekasve duke i braktisur traditat stërgjyshore politeiste, shiheshin si alternativë dhe forcë e re në skenën botërore e cila promovonte nji koncept të ri, ushtronte nji kurs të ri politik, ofronte nji metodologji të re të vlerësimit të gjërave dhe të gjykimit, metodologji kjo e ndërtuar mbi parime bazë të shëndosha të cilat ishin stabile dhe nuk ndryshonin, por që në të njejtën kohë, përshkoheshin me nji fleksibilitet i cili mundësonte adoptim me të gjitha kohërat, vendet, rrethanat dhe nevojat, pa u prekur parimet bazë në qenësinë e tyre.
Hixhretet e vogla të mëparshme në Abisini vërtetuan ngadhnjimin e argumenteve të muslimanëve karshi atyre idhujtare gjatë përballimit dhe debatit publik në prezencë të vetë mbretit dhe elitës së vendit, ndërkaq hixhreti në Medine dëshmoi për fitore të shumta të natyrave të ndryshme, duke nisur nga nivelet individuale deri te ato kolektive, nga fitoret e karakterit të brendshëm, deri te ato të karakterit ndërkombëtar, nga ato të fushës doktrinare, deri te ato diplomatike, ekonomike, politike, etj.
Po mos harrojmë, edhe në kohën tonë, hixhretet e dhunshme të mbështetësve të lëvizjeve islame, qoftë në shekullin XX apo në shekullin XXI, u kthyen në fitore të lëvizjeve islame dhe krerëve të tyre mbi diktaturat, të cilat ende vazhdojnë të ushtrojnë dhunë. Por, hixhretet, nuk i tretën lëvizjet islame, në të kundërtën, i bënë më të forta, më të përgatitura dhe më të qëndrueshme, dhe kështu ka shpresë të jetë çdo herë. Së këtejmi, udha e hixhreteve, është udha e fitoreve dhe sukseseve.