Kurthat e shejtanit në muajin e Ramazanit
Mr. Ferit Zeqiri
Falënderimet i takojnë Allahut xh.sh, salevatet qofshin mbi Muhamedin a.s.
Allahu xh.sh. e ka bërë këtë umet të hajrit, dhe në te ka dërguar hajr dhe begati dhe e ka veçuar që ky umet të jetë umeti më i mirë, që do të veprojë me urdhërat e Allahut xh.sh. dhe porosit e Muhamedit a.s.
Nga mëshira e Tij ishte që e veçoi këtë umet që të jet bartës i fesë së Allahut xh.sh., pasiqë pronarët e librave nga jehudët dhe të krishterët e devijuan të vërtetën që e shpalli Allahu xh.sh.
Gjithashtu nga mëshira e Allahut xh.sh. është që ky umet ta ketë jetën më të shkurtër në krahasim me popujtë që kanë jetuar më parë, por shpërblimin do ta kenë më të madh, siq është rasti i shpërblimit të muajit të Ramazanit apo natës së kadrit e cila është më e vleshme se një mijë muaj. Por megjithatë shejtani nuk pushon së vepruari kundër besimtarëve në mënyrë që ata ti largojë nga adhurimi i Allahut xh.sh., sepse ai është armiku i hapët i njeriut, Allahu xh.sh. në Kur’ani Kerim thotë:“ …është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut“ (Isra-53). Gjithashtu Allahu xh.sh. thotë: „Ai u premton atyre dhe i bën të shpresojnë, por djalli nuk premton tjetër vetëm se mashtrim“ (Nisa-120).
Pra dije se armiku i parë i yti është shejtani i cili në çdo kohë dhe vend mundohet që të largojë nga adhurimi i Allahut xh.sh., edhe ate gjatë tërë vitit, bile gjatë tërë jetës tënde e në veçanti gjatë këtij muaji të bekuar kur shpërblimet janë të shumëfishta te Allahu. Dhe dije se ai nuk lodhet asnjëherë dhe as që i humb shpresat, andaj vepron pa ndërprerë.
Shiqo se si mundohet shejtani ta mashtojë njeriun, a nuk e ke vërejt nëse lënsi i namazit dëshiron që të pendohet dhe të fillojë të falet rregullisht se si shejtani mundohet ta mashtrojë, vjen tek ai dhe e pëshpërit duke i thënë: kjo është vepër shumë e rënd ti nuk do të mund t’i përballojsh? Çka do t’i thuash shoqërisë tënde? Si do të veprosh gjatë orarit punës? Si do të arsyetohesh para shefit (punëdhënësit) nëse ai të heton se fal namaz? A e din se e rrezikon vendin e punës ? A e din se mund të etiketohesh si fundamentalist…etj, etj. Dhe ndoshta e mashtron dhe ai vazhdon në atë që ka qenë.
Apo nëse dëshiron të pendohet i vjen shejtani dhe mundohet ta mashtrojë duke i thënë: e çka të gjeti ty që të pendohesh në këtë kohë? A nuk është muaji i Ramazanit afër, prit edhe disa muaj dhe atëherë do të pendohesh, le të jet fillimi yt prej muajit të shenjtë ? Ti duhet të përgatitesh shpirtërisht përpara se të pendohesh ! Kështu pra mundohet që së paku t’ia vonojë pendimin bile edhe një ditë nëse nuk ka mundësi që krejtësisht ta ndalojë prej saj. A nuk e vren se si mundohet që ta mashtrojë pirësin e duhenit apo të alkoolit duke i thënë : pritë edhe disa ditë le të fillojë muaji i Ramazanit dhe atëherë do të largohesh prej tyre, le të jetë fillimi në muajin e begatshëm!
Ose gruaja që dëshiron të pendohet dhe të mbulohet, i vjen shejtani dhe mundohet ta mashtrojë duke i thënë: po pse shpejton që të mbulohesh ti ende je e re, ti ende je e pamartuar, prit së paku derisa të martohesh dhe pastaj mbulohu? Nëse mbulohesh tash njerëzit do të pyesin pse në këtë kohë u mbulua, çka e gjeti ato? Dhe pas martesës vjen shejtani dhe i thotë: po ti tash je nuse dhe të gjithë të shikojnë ty, e nëse mbulohesh krejt do të qeshin me ty! Prit pak mendohu mirë dhe mos shpejto, sepse ti duhet të largohesh pastaj nga kafenet, baret, lokalet e natës, muzikat, shoqëria yte! Ose së paku prit derisa Zoti të jep një djalë dhe ate ta bësh synet dhe pastaj do të mbulohesh ! Pas saj vjen dhe i thotë tash prit derisa ta martosh ate sepse si do të marrish pjesë në dasmën e djalit dhe ti e mbuluar? Dhe me kësi lloj kurthash vazhdon shejtani ta mashtrojë derisa ajo ti bëjë 50 apo 60 vjet dhe ajo e pambuluar, apo ndoshta kështu do të vazhdojë derisa t’i vij meleku që merr shpirtërat dhe ate do ta gjejë të pambuluar siq u ndodh shumë muslimaneve në kohët e sodit.
Kur vjen muaji i Ramazanit vjen shejtani dhe i thotë: po pse shpejton që të fillojsh me agjërim, ti i ke kaluar 50 apo 60 vjet dhe nuk ke agjëruar, prit edhe këtë vit dhe prej vitit tjetër do të fillosh? Ti ende je i ri! (Edhe pse i ka kaluar të gjashtëdhjetat). A nuk e sheh se koha është e nxehtë? A nuk e sheh se dita është e gjatë? A nuk e sheh se punën e ke të vështirë? A nuk e sheh…., a nuk e sheh…. Dhe kur vjen Ramazani, a mendoni se shejtani do ta lë të qetë në teuben (pendimin) e tij, në namazin e tij, në agjërimin e tij, në mbulesën e saj…! Asesi, do të mundohet që pas muajit të Ramazanit ta kthej në atë që ka qenë para muajit të Ramazanit, përveç atij që Allahu e përforconë në rrugën e vërtetë.
Ne shpesh e dëgjojmë thënjen e popullit : Punën e sodit mos e le për nesër. Kjo është një rregull e shkëlqyer, por jo vetëm kur është në pyetje punët e dunjas, por duhet praktikuar edhe në punët e ahiretit që mos ti lëmë për nesër. Nëse e ke kuptuar këtë rregull atëherë pse pra e vonon namazin për pas gjashtëdhjet vjet, pse e vonon teuben dhe agjërimin për pas pensionit, pse nuk e praktikon këtë rregull edhe në ibadetet tua?!
Pejgamberi a.s. një ditë prej ditëve pasi që e fali namazin e ikindisë me shokët e tij, u ngrit dhe shkoi. Gjë e cila u ra në sy shokëve të Pejgamberit a.s., sepse nuk ishte prej traditës së tij të ngrihet menjëherë pas namazit, por ulej dhe vazhdonte me dhikër ndaj Allahut xh.sh. Dhe sahabet vendosën që të shkojnë te Pejgamberi a.s. dhe ta pyesin se çka i ndodhi. Pasi që shkuan te Pejgamberi a.s. dhe e pyetën ai tha: „ Mu kujtua që kam diçka nga sadakaja dhe duhet ta shpërndaj ate dhe u frikova që shejtani mos të më shtij në harres“. Kjo tregon që duhet shpejtuar në kryerjen e punëve të mira.
Enes ibn Nadër nuk bënte durim që të haj hurmat që kishte në dorën e tij nga frika që të mos vonohet për në luftë me Pejgamberin a.s. dhe i gjuajti hurmat që kishte në dorën e tij dhe tha: „Nëse unë vazhdojë që ti ha ato kam frikë se ajo do të jetë një jetë e gjatë“.
Shiqo ky është Handhale ibn Rahib që kur dëgjoi se thirret për në xhihad, e la gruan e tij, edhe pse në atë natë po sa ishte martuar, dhe as nuk pati kohë të merr gusull (të pastrohet). Dhe po në atë luftë ra shehid (dëshmorë), dhe Pejgamberi a.s. e pa ate duke e larë melaqet e Allahut xh.sh.
Dhe analizo vëlla i nderuar se sa i vonojmë ne ibadetet tona, një orë , një ditë, një javë, një muaj, një vit, apo ndonjëri edhe gjashtëdhjet vite. Sa e ke vonuar namazin? Sa vite ka që nuk falesh duke të mashtruar shejtani ? Sa vite i ke bërë dhe ti ende nuk ke filluar me agjërim ? Sa vite i ke kaluar dhe ti ende je në dyshim a të pendohesh apo të presish Ramazanin e ardhshëm ? Kur mendon të largohesh nga haramet ? A e kujton se vdekja të afrohet dhe ty ende të mashtron shejtani !
Edhe pse Allahu xh.sh. na tregon se mashtrimet e shejtanit janë të dobëta, thotë Alahu xh.sh. : “ Luftoni pra miqtë e djallit, s’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët “ (Nisa- 76).
Por me keqardhje e themi, si duket na është dobësuar imani në zemrat tona dhe pastaj na sundon shejtani me intrigat e tij.
E lusim Allahun xh.sh. që të na mbrojë nga mashtrimet e djallit dhe të pranojë prej nesh dhe gjithë muslimanëve muajin e agjërimit dhe veprat e mira.