Mësimbesimi Islam në shkollat e Zvicrës
“Më i miri ndër ju është ai i cili e mëson Kur`anin dhe ua mëson të tjerëve”
(hadith)
Duke u nisur nga ky parim, besimtarët muslimanë mundohen të mësojnë fenë e tyre dhe leximin e librit të shenjtë të tyre edhe në gjuhën arabe. Nga ky rregull nuk përjashtohen as muslimanët në Zvicër. Sikur në çdo xhami në botë, po ashtu edhe këtu në Zvicër, zhvillohet mësimbesimi islam për nxënësit dhe nxënëset muslimane. Format dhe ditët e zhvillimit të mësimit janë të ndryshme. Kush të dielave para dite e kush pas dite; kush të shtunave dhe të dielave, e kush të mërkurave, të shtunave dhe të dielave. Ky mësimbesim tashmë kërkon përmasa më të gjëra dhe më kualitative. Nxënësit që vijojnë mësimbesimin nëpër xhami janë të kënaqur se shkojnë në xhami dhe shohin elemente islame dhe imamët e tyre që nuk i shohin nëpër shkollat e tyre zvicerane.
Mirëpo pas një kohe të caktuar që ndjekin mësimbesimin, ky mësim kalon në një monotoni të dukshme por të pashprehur për nxënësit. Ata duke e ditur dëshirën e prindërve për pjesëmarrjen e tyre në klasa dhe duke qenë të vetëdijshëm për obligimet ndaj kulturës dhe fesë së tyre vazhdojnë të ndjekin mësimin dhe ndoshta arrijnë edhe deri të leximi i plotë i Kur`anit (hatme), ndoshta edhe jo.
Ky është, mund të themi, grupi i suksesshëm në klasat e mësimit klasik nëpër xhamia. Në bazë të kontakteve që i kam me nxënësit, dhe që më tani janë të rritur, apo në klasat e larta të tetëvjeçares, ata shprehin gjysmë-kritikat e tyre ndaj hoxhallarëve dhe imamlerëve të tyre.
Pjesërisht mungojnë elementet reale të mësonjëtoreve nëpër xhami. Klasat janë të errëta, uljet janë për toke ose në banka sikur njihen nga ato bankat festive të kopshtit, numri i nxënësve në një klasë është i madh, forma pedagogjike e përgjysmuar dhe shumë e shumë elemente të cilat nuk iu barazohen klasave të shkollave të tyre ku ata kalojnë shumë kohë nga java e tyre.
Këtu dua të theksoj, se jo të gjitha xhamitë bien nën këtë kategori të përshkrimit.
Ja vite me radhë, ka tendenca që me angazhimin privat dhe personal të futet ky mësim edhe nëpër shkollat zyrtare të Zvicrës, krahasuar me atë, se mësimbesimi krishter është lëndë e kamotshme në këto shkolla. Edhe pse Zvicra nuk e njeh fenë islame si religjion shtetëror, ky mësim është futur në disa komuna dhe kantone si pilot-projekt dhe si analizë, që një projekt i tillë të analizohet dhe të shihet se cilat ishin dobitë, përparësitë dhe dobësitë e një projekti të tillë.
Si shembull duhet të përmendim mësimin e besimit islam në shkollat e Wil-it dhe të Uzwilit.
Përmes mr. Bekim Alimit, Imamit të xhamisë në Wil, ky mësim është futur në shkollat e këtij qyteti që në tetor të vitit 2000. Aty zhvillohet mësimi në gjuhën gjermane dhe është i integruar në orarin dhe plan-programin e shkollës. Numri i madh i nxënësve, si p.sh. në shkollën Lindenhof, prej 56% të nxënësve që janë të huaj, 41% të tyre janë musliman, bën që ky mësim të zhvillohet 17 leksione në javë, në shkollat Lindenhof, Sonnenhof dhe UZE Real.
Një tendencë të tillë duhet përmendur edhe në shkollat e komunës së Kriens dhe Ebikon (Luzern), Obersiggenthal AG si dhe një shembull më i freskët, ai i Kreuzlingen-it.
Dihet se futja e mësimbesimit islam në shkollat zyrtare zvicerane nuk synon zëvendësimin e mektebeve klasike, por tenton të kalojë ky mësim në përmasa zyrtare dhe në metodikën aktuale.
Kohëve të fundit tentohet të bëhen edhe hulumtime dhe publikime në lidhje më këtë temë edhe në shkollat e larta dhe në fakultetet zvicerane.
Më takon të përmendi rastin e punimit të dy imamëve nga kantoni i St.Gallen-it, Imam Bekim Alimit dhe Imam Zijad Zhuzh-s, që përfunduan me sukses shkollën e lartë në Winterthur ZHAW, me temën “Islamischer religionsunterricht an schweizer Schulen” (Mësimbesimi islam në shkollat e Zvicrës).
Ky punim është botuar në gjuhën gjermane dhe me numrin e shtypit ISBN 978-9989-57-764-2.
Mr. Bekim Alimi
Lexoni tekstin e plotë në gjuhën gjermane në PDF