Mrekullia e madhe e Israsë dhe Mi’raxhit
![Ahmed_Omer_Hashim](http://www.uais.ch/wp-content/uploads/2015/05/Ahmed_Omer_Hashim.png)
“I pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e vet e kaloi (udhëtoi) në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë)deri në Mesxhidi Aksa (Bejtul Makdis),rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim)për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit),Pamësi(i punëve të Muhammedit).” (El-Isra’ë, 1)
Vëllezër besimtarë!
Ndodhmemi akoma në muajin Rexheb. Ky muaj është i bekuar për shkak se është njëri prej katër muajve të shenjtë që përmenden në Kur’an. Kur vjen nata e 27-të e këtij muaji të madhërishëm, besimtarët e mbarë botës përkujtojnë ngjarjen dhe muxhizen më të madhe të Muhammedit s.a.v.s. e ajo është “Mrekullia e Israsë dhe Mi’raxhit”, një muxhize kjo e cila jo vetëm që përmendet në Kur’an, por Allahu i Lartësuar shpalli një Sure të tërë duke e emëruar “Suretu El-Israi”.
Allahu i Lartmadhërishëm e fillon këtë Sure me fjalën “Subhane”, që ka kuptimin “dëlirje nga çdo e metë”, d.m.th. Allahu xh.sh. është i Lartësuar e i Pastër nga çdo e metë; Ai është i pashembullt në atribute e veprime. Fjala “Subhane” ka për qëllim dëlirjen, pastrimin dhe lartësimin e përgjithshëm vetëm për Allahun xh.sh.; Ajo i përket absolutisht vetëm Allahut, pa gjasim me askënd në krijim, as në cilësi, e as në veprim. Pra, i Lartmadhërishmi i Cili është i pastër nga çdo e metë, me rastin e Israsë dhe Mi’raxhit i ka bërë një pritje madhështore krijesës më të mirë, mëshirës së dërguar, zotërisë dhe të zgjedhurit tonë, Muhammedit s.a.v.s.
Çdo vit dhe në çdo kohë, me rastin e përkujtimit të kësaj Mrekullie të Madhe, nxjerrim kuptime dhe mësime të reja të cilat na nxisin të gjithë neve që të kapemi fort për fenë tonë, pavarëshit sfidave dhe vështirësive që po kalon sot ummeti islam, pavarësisht intrigave dhe planeve të armiqëve tanë. Ne kemi shembullin më të mirë në të Dërguarin tonë, Muhammedin s.a.v.s. i cili përballoi vuajtjet, mundimet dhe torturat e idhujtarëve aq sa deshi Allahu t’i përballoi. Ishte shumë i durueshëm vetëm e vetëm që të ngadhnjejë dhe të triumfojë kjo fe e pastër dhe e dëlirë.
Një ditë, Resulullahi s.a.v.s. ishte kthyer në shtëpinë e tij i lodhur dhe i rraskapitur nga mundimet e idhujtarëve të cilët i kishin mbushur kokën e tij me pluhur. Kur e pa vajza e tij hz. Fatimja r.a. babain e saj në atë gjendje, filloi me qajtë duke i shkundur pluhurin nga koka e tij e bekuar, ndërsa i Dërguari i Allahut i thoshte: “Mos qaj o vajza ime, se Allahu është Ai që largon vështirësitë”.
Gjithashtu një herë përderisa Resulullahi s.a.v.s. ishte duke u falur në Qabe dhe ishte në sexhde, armiqtë e tij dhe të islamit i hodhën sipër mbeturina të kafshëve dhe në ato momente erdhi vajza e tij e dashur hz. Fatimja e cila ia hoqi ato mbeturina nga trupi i tij i pastër. Atëherë Pejgamberi a.s. i ngriti duart dhe filloi të lutet Allahut kundër idhujtarëve, e ata filluan të frikësohen ngase ata e dinin se lutjet në këtë vend të shenjtë (Qabe) pranohen. Thotë transmetuesi i hadithit: Vallahi të gjithë ata që e munduan Pejgamberin a.s. i kam parë të rrëzuar (të vdekur) ditën e betejës në Bedër, pra Allahu i ka shkatërruar dhe do t’i shkatërrojë gjithmonë armiqët e Resulullahit s.a.v.s. Po ashtu, vuajtje të ngjajshme përjetuan edhe as’habët e tij të cilët gjithmonë qëndruan stoik dhe të pathyeshëm pranë sulmeve barbare të idhujtarëve mekas.
Vuajtje të tilla janë duke përjetuar edhe muslimanët e ditëve të sotme, por ata nuk duhet të harrojnë se padyshim Allahu është Ndihmuesi dhe Triumfuesi i kësaj feje dhe se Ai ka garantuar se do jetë gjithmonë Ruajtësi dhe mbrojtësi i Islamit deri në Ditën e Kijametit. Ymmeti islam sot duhet ta ketë shembull Pejgamberin a.s. më shumë se kurdoherë i cili edhepse ishte më i dashuri i Allahut, u ballafaqua me lloj-lloj tortura e maltretime saqë një herë bashkëshortja e tij hz. Aishja r.a. e kishte pyetur: O i Dërguar i Allahut, a e ka pasur ndonjë ditë më të vështirë se ditën e Uhudit (ku Pejgamberi a.s. ishte plagosur dhe kishte thyer dy dhëmb)? Ai u përgjigj: “Gjithçka kam përjetuar nga ky popull i yt, por më së keqi më kanë pranuar në Taif. Ata nuk iu përgjigjën dëshirës dhe thirrjes sime të pranojnë Shehadetin, e pasi që nuk e bënë këtë, u largova prej tyre i brengosur dhe i shqetësuar. Kam qenë në dremitje derisa nuk mbërrita tek vendi Karnul Menazil. Aty ngrita kokën dhe mbi kokën time pash një re që më bënte hije, andaj shikova më mirë dhe pash se në të qëndronte Xhibrili, i cili mu drejtua: “Allahu të ka dërguar melekun e kodrave, të cilit mund t’i urdhërosh t’u bëj çka të duash atyre.” Pastaj dëgjova zërin e melekut, i cili më tha: “O Muhammed, çka dëshiron të bëj? Nëse dëshiron t’i rrëzoj këto dy kodra, El-Ahshebani (që janë dy kodra të njohura në Mekë) mbi ta, vetëm thuaj. Por, Resulullahi s.a.v.s. tha: “Jo, se ndoshta prej pasardhësve të tyre do të del dikush që do të adhurojë Allahun dhe nuk do t’i shoqërojnë Atij zota të tjerë.” Të vërtetën e ka thënë Ai që të ka cilësuar Er-Rauf – Zemërgjërë dhe Er-Rahim – i Mëshirshëm, bile ishe i mëshirshëm edhe me armiqët e tu o i Dashuri i Allahut. Shikoni se çfarë madhështie është kjo, çfarë fisnikërie është kjo!!!
Vëllezër besimtarë!
Krijuesi ynë, Allahu i Madhërishëm u bën me dije mbarë njerëzimit e posaçërisht atyre që shkaktojnë trazira dhe fusin dyshime edhe në ditët e sodit sa i përket këtij udhëtimi hyjnor (prej Mesxhidul Haramit në Mesxhisdi Aksa e pastaj ngritja në sferat qiellore) dhe kësaj mikpritjeje madhështore, se më i dashuri i Tij Muhammedi s.a.v.s. ka pasur nderin ta shikojë Zotin xh.sh., një nder dhe një privilegj që nuk e patën asnjë Pejgamber para tij, e as ndonjë melek më i afërt i Allahut xh.sh..Për këtë arsye, ndodhi mrekullia e Israsë dhe Mi’raxhit në mënyrë që Allahu t’ju bëjë me dijë të gjithë banorëve të qiejve dhe të tokës se ky i Dërguar fisnik është dhe do të jetë nën mbrojtjen e Krijuesit të tij, se kush i bindet atij, do të hyjë në xhennetin e Allahut dhe se nëpërmjet kësaj mrekullie i mundësoi më të dashurit të tij të sheh atë që syri nuk ka parë, pra ato gjëra të fshehta që Pejgamberët e tjerë vetëm i kishin dëgjuar nëpërmjet shpalljeve hyjnore. Pra, atë që pa i Dërguari ynë nuk i kishte parë asnjë Pejgamber dhe asnjë prej melaikeve të Allahut, por i vetmi që i kishte parë me sytë e tij dhe kishte dëgjuar me veshët e tij këto gjëra të fshehta ishte i Dashuri ynë, Muhammedi s.a.v.s. Allahu xh.sh. thotë: “(ia bëmë këtë udhëtim)për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.
Allahu i Madhërishëm e përshkruan të dashurin e Tij me fjalën “abd – rob” ku thotë: “I pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e vet e barti…, dhe nuk thotë “që dërguarin e vet”. A thua përse? Sepse grada më e lartë me të cilën mund të arrijë njeriu tek Krijuesi është shkalla e Ubudijes-adhurimit. Ajo është më e madhja kënaqësi, mbi të cilën nuk ka dhunti tjetër dhe se në botë ka robër (abid) dhe “rob adhurues” (ubbad). Të gjithë ne jemi robër të Allahut, edhe ai që u nënshtrohet urdhrave të Allahut, po edhe ai që i kundërshton ato; edhe besimtarët edhe pabesimtarët. Kurse rob adhurues janë ata të sinqertit, janë ata që punojnë atë që Allahu ka urdhëruar për t’u punuar, dhe ndalojnë nga ajo që Allahu ka ndaluar. Gjithashtu, Allahu xh.sh. në ajetin e Israsë ka përdorur fjalën “abdihi” – robin e Vet, për të na tërhequr vërejtjen se Israja dhe Mi‘raxhi kanë ndodhur me shpirt e trup njëkohësisht dhe jo në gjumë, po zgjuar, sepse “rob” nuk thuhet veçse kur takohen shpirti dhe trupi së bashku. Sikur kjo mrekulli të kishte ndodhur vetëm me shpirt, atëherë nuk kishte nevojë që të hyp mbi burak, nuk kishte nevojë që të përgatitej buraku për Resulullahin s.a.v.s.. Tregohet se kur Pejgamberi a.s. kur deshi të hyp mbi burak, kafsha filloi të shqetësohet, ndërsa Xhibrili a.s. i thotë: “Qetësohu o burak, se pasha Allahun nuk të ka hypur krijesë më e mirë se Muhammedi s.a.v.s. Në hadith thuhet se kur buraku kuptoi mekamin (pozitën) e Pejgamberit a.s. filloi të pikonte djersë…
Sikur Israja dhe Mi’raxhi të kishin ndodhur në gjumë, siç pandehin disa njerëz, atëherë nuk do të kishte vend për diskutim, sepse a polemizohet me një njeri për atë që ka parë ëndërr?! Nëse dikush na tregon se ka parë ëndërr duke fluturuar apo ka shkuar në Amerikë dhe është kthyer njëzet herë brenda natës, a mund ta përgënjeshtrojë dikush këtë ëndërr? Natyrisht që jo. Sido që të jetë, kjo mrekulli e madhe ka ndodhur me shpirt e me trup dhe çdo polemikë tjetër rreth mrekullisë së Israsë dhe Mi’raxhit është e tepërt dhe pa bazë.
Pejgamberi a.s. gjatë këtij udhëtimi në Mesxhidul Aksa, takohet me të gjithë Pejgamberët dhe të Dërguarit e Allahut. Sipas një transmetimi të Imam Buhariut, Allahu xh.sh. i ka ringjallur të gjithë të Dërguarit e Tij para Ditës së Ringjalljes. Ashtu në këmbë të gjithë së bashku pritnin urdhërin hyjnor derisa vjen Xhibrili dhe kap për dore Resulullahin a.s. që të jetë imam i të gjithë Pejgamberëve dhe të Dërguarve. Kjo na jep me tregu se feja islame është fe universale dhe se pozita e Muhammedit a.s. është më e larta tek Zoti xh.sh…
Pas namazit, Pejgamberi ynë ngjitet në qiejt e lartë deri në vendin e quajtur “Sidretul Munteha”. Në këtë vend Xhibrili ndalet, kurse i Dërguari i Allahut vazhdon udhën edhe më tej për t’u takuar me Zotin e botrave. I Lartmadhërishmi e ftoi të Dashurin e Tij të takohet më për së afërmi dhe ta sheh me sytë e tij bukurinë madhështore të Allahut xh.sh. Këtë nder nuk e pati Musa a.s. i cili kur kërkoi ta shihte Allahun, Zoti i tha: Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua. Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërmi, e Musait i ra të fikët…., kurse për Muhammed Mustafanë Allahu xh.sh. tha: “Zemra nuk e mohoi atë që e pa (me sy),” pra ai kishte parë Zotin e vet.
Salavatet dhe selamet qofshin për ty o i Dërguar i Allahut, Zoti ty të mundësoi takimin me Të dhe u ngrite në qiejt e lartë ku në secilin qiell u takove me vëllezërit e tu – Pejgamberët dhe të gjithë melaiket të përcjellnin me selamet më të ngrohta…
Mirëpo, Allahu i Lartësuar nuk e la Ymmetin e tij pa Mi’raxh, por na dhuroi pesë kohët e namazit në mënyrë që të ngritemi dhe të ngjitemi tek Zoti ynë, sepse ne kur jemi në namaz jemi në takim me Allahun. Pra, ky obligim për besimtarët është një dhuratë hyjnore sepse në momentin kur je në kijam (në këmbë) dhe thua “Allahu ekber”, ti je në shoqëri me Krijuesin tënd…
Vëllezër të nderuar!
Përkujtimi i Israsë dhe Mi’raxhit i nxitë besimtarët që të jenë të sinqertë, të dashur ndërmjet veti dhe të kapen të gjithë së bashku për litarin dhe fenë e Allahut. Kështu i edukoi Resulullahi s.a.v.s. pasuesit dhe ndjekësit e tij, të kapen fort për fenë e tyre. Shembull konkret kemi Ebu Bekrin r.a. të cilit i thanë: “A i beson Muhammedit se çka thotë?” Ai iu përgjigj: “Unë i besoj edhe më shumë se kjo, i besoj çdo lajmi që i vjen nga qielli e si të mos i besoj udhëtimit të tij nga Mesxhidul Harami për në Mesxhidul Aksa? Dhe që nga ky moment e mori ofiqin “Es-Siddik – i sinqertë”.
Nëpërmjet këtij udhëtimi hyjnor ne kuptojmë se besimtarët dhe vepërmirët do të shpërblehen me të mirat e xhennetit, kurse jobesimtarët dhe vepërkëqinjët do të dënohen. Mësojmë se Allahu është Hakk (i vërtetë) dhe kjo fe është Hakk (e vërtetë). Kur Pejgamberi a.s. na tregoi se kishte parë në xhennet dy lumenj të brendshëm dhe dy të jashtëm e ata ishin Nili dhe Eufrati, kjo na paralajmëron se Islami do të triumfoi me lejen e Allahut dhe se flamuri i tij do të ngritet në Lindje dhe Perëndim.
Përktheu dhe përshtati:
Enes Koshi