Urime tetëvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës
Publikuar me: 17 Shkurt, 2016
Të nderuar vëllezer !
17 shkurti i vitit 2008 do të mbetet në kujtesën e shumë brezave nëpër shekujt si ditë e shumëpritur ndër shqiptarët që rezultoi me pavarësinë e Republikës së Kosovës si shtet më i ri në Europë. Ky akt historik, ishte synim, ideal dhe angazhim permanent i një sërë brezash të patriotëve, hoxhollarëve, atdhetarëve, intelektualëve për të cilin u angazhuan dhe u martizuan bijtë dhe bijat më të mira të kombit shqiptarë.
Tanimë, Kosova renditet në mesin e popujve të lirë si pjesë e barabartë e botës demokratike.
Këtij akti madhështor historik të pavarësisë së Republikës së Kosovës pos kontributit dhe mbështetjes së fuqishme të shteteve perëndimore dhe aletëve të shqiptarëve siç ishin SHBA, Gjermania, Zvicra, Britania e Madhe etj, kontribut jashëzakonisht të madh ka dhënë edhe mërgata shqiptare, kudo qoftë ajo, në Europë, Amerikë apo Australi.
Në këtë rast, asnjëherë nuk duhet harruar edhe kontributin e qendrave islame shqiptare në Zvicër, imamëve dhe drejtuesve të këtyre qendrave të cilët në vazhdimësi kanë qenë në shërbim të kauzës kombëtare duke mobilizuar masat e gjëra në të gjitha format dhe mënyrat, për të dëshmuar se tempujt fetar, Shtëpitë e Zotit nuk janë vetëm për të adhuruar Zotin Lavdiplotë por janë edhe në funksion të ruajtjes dhe zhvillim të vlerave kombëtare dhe patriotike më sublime të kombit shqiptar.
Sot në xhamitë shqiptare si pjesë e aktiviteteve të tyre me shumë dinjitet dhe patriotizëm shënohen edhe festat kombëtare siç janë Dita e Flamurit 28 nëntori , Dita e Pavarësisë së Kosovës, Dita e Alfabetit etj.
Gëzuar përvjetorin e tetë të pavarësisë!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptarë kudo që janë!
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër
Nehat Ismaili, kryetar