30 Vite Kurani në gjuhën shqipe
Publikuar me: 19 Shkurt, 2016
Allahu xh.sh. thotë: „Ne Kuranin e bëmë të lehtë për të kuptuar, a ka ndokush që merr mësim (këshillë)“ (Kamer, 22). Kurani, fjalë e Zotit, libër i shenjtë, mrekulli e përsosur, i mbrojtur dhe i garantuar nga vet Zoti, i shpallur nga Allahu xh. sh. nëpërmjet Xhibrilit a.s. deri te Muhamedi a.s. e ai për t’ia kumtuar tërë njerëzimit, u shpallë në gjuhën arabe. Nevoja për të kuptuar ate i ka shtyrë dijetarët që të bëjnë përkthimin e tij në gjuhë të ndyshme. Vetëm në shtypshkronjën „Kral Fehdi“ në Medine, Kurani është botuar në 63 gjuhë të botës, jashta shtypshkronjave tjera, si në Kairo, Istambull, Damask, Katar, Islamabad, Tripoli etj. Këtë fat e kanë patur edhe shqiptarët që para 30 vitesh të posedojnë Kuranin edhe në gjuhën shqipe, fal kontributit të palodhshëm shumëvjeçarë të Akademik prof.dr. Feti Mehdiu. Me këtë rast, për nder të përkthimit të parë të plotë të Kuranit në gjuhën shqipe, xhamia e Regensdorfit më datë 13.02.2016, pas namazit të jacisë organizoi tribunë me temën „Kurani dhe shqiptarët“, ku musafir special për të trajtuar këtë temë ishte vetë përkthyesi i Kuranit, Akademik prof.dr. Feti Mehdiu. Hapja e Tribunës u bë me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami i përkohshëm i xhamisë „Mëshira“ Senad ef. Ramadani nga Shkupi, që përpos Kuranit, me zërin e tij të bukur, këndoi edhe një ilahi. Imami i xhamisë mr. Ferit Zeqiri, pasi përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit në emër të Kryesisë për pjesëmarrjen, njoftoi xhematin për rrjedhën e programit dhe arsyet e trajtimit të kësaj teme.
Pas prezentimit të një biografie dhe veprimtarie të musafirit, imami e përshkruajti Akademikin, që e njeh vite me rradh si njeri shumë modest dhe Bibliotekë në vehte, pasiqë ai posedon rreth 350 kontribute shkencore. Më pas Akademik prof.dr. Feti Mehdiu trajtoi temën në mënyrë të detajizuar, duke treguar për arsyet dhe idenë se si i lindi për të marrë këtë përgjegjësi të madhe mbi supet e tij. Fillimisht foli për vlerën e Kuranit, më pas për përkthimet e pjesërishme të Kuranit që kanë filluar që nga viti 1920-1921 nga hfz. Ali Korça i cili kishte përgatitur përkthimin e 7 apo 8 sureve të quajtur “Tefsiri i Kuranit”. E më pas hfz. Ibrahim Dalliu ndërmjet viteve 1929-1942, i botuar me emrin „Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit“ por pa arritur që ate ta kompletojnë. Ai foli edhe për përkthimet e para që janë bërë në Evropë, që kishin filluar që nga shek. XII, e më sakt që nga viti 1112, fillimisht në latinisht e më pas edhe në gjuhë të tjera. Padyshim se nuk kanë munguar as vështirësitë, kur dihet që në vitet e 80-ta literatura islame për të konsultuar në gjuhën shqipe ka qenë e pakt, ashtu siç kanë munguar edhe fjalorët. Krahas kësaj pengese ai sqaroi edhe pengesat e sistemit monist të asaj kohe si dhe aspektin material, por fal kontributit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kurani gjeti dritën edhe në gjuhën shqipe. Akademiku i ndruar tha:“ Veprimtaria e islamit ka filluar në Tiranë, por kulminacionin e ka arritur në Prishtinë”, duke aluduar se përkthimi i Kuaranit ka filluar në Shqipëri por është plotësuar dhe botuar në Kosovë. Tirazhi i botimit të parë ka qenë rreth 10800 ekzemplarë, gjë që nuk i ka mbuluar nevojat e popullatës shqiptare.
Rreth 15 vite më vonë Akademik prof.dr. Fetiu, bënë ndërhyrjen e dytë në përkthim, dhe ate e quan “Kurani dhe hija e tij shqip” që përdallim nga botimi i parë posedon edhe tekstin origjinal. Për ta përmbyllur me ndërhyrjen e tretë në vitin 2015 kur edhe botohet përkthimi i tretë.
Akademiku foli edhe për përkthimet tjera të Kurani Kerimit në gjuhën shqipe nga përkthyes të ndryshëm, që sot kanë arritur në 11 sosh, si: përkthimi i molla Sherif Ahmedit, Hasan ef. Nahi etj, që njëherit i konsideron si pasuri më tepër për shqiptarët. Muaj më parë për nder të 30 vjetorit të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe Bashkësia Islame e Kosovës organizon një sesion.
Akademik prof.dr. Fetiu Mehdiu krahas përkthimit të Kuranit, është edhe përkthyes i shumicës së vëllimeve të librit më të sakt pas Kuranit, kolekcionit të Imam Buhariut, ku me sukses arrin ta përfundojë dhe ta botojë në 12 vëllime.
Vlenë të ceket se këtij evenimenti madhështor i kushtuan rëndësi të veçant kamerat e TV Uskana dhe TV Festa me pjesëmarrjen, inçizimin dhe transmetimin e tyre. Tribuna u përmbyllë me leximin e disa ajeteve kuranore nga imami i rastit Maksut ef. Maksuti nga f. Llabunisht i Strugës.