Robër të Allahut, e jo të Ramazanit…
Publikuar më: 14 qershor 2016
Aarburg, 10 qershor 2016
D
Hfz. Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
“E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë.” (El-Bekare, 185)
Të nderuar vëllezër, të respektuara motra.
Në këtë javë të parë të muajit të Ramazanit, dëshiroj që këtë hutbe ta kalojë duke parashtruar më shumë pyetje, e duke i lënë përgjigjet tek ju vet.
Së pari dua ta them këtë, se ne, si njerëz të besës islame, jemi robër të Allahut dhe nuk jemi robër të Ramazanit. Ramazani për ne nuk është vetëm obligim, ngarkesë apo shtrëngim, por, përkundrazi, është shans dhe kënaqësi, përjetim dhe çlirim.
Në mënyrë që ta kuptonim më së miri Ramazanin, me tërë potencialin dhe vlerën e tij që ka, duhet secili prej nesh t’i parashtroj vetes disa pyetje.
E para, çfarë në të vërtetë duam nga ky Ramazan? A ka qëllim agjërimi ynë? Ramazani është shansi më i mirë për vetëanalizë, gjegjësisht për vetëllogaritje dhe ndryshim. Kurse, siç po e shohim, ndryshimi midis nesh është aq i nevojshëm, sa nuk mund të shpresohet shumë për të jetuar më tutje. Për këtë flet vetë gjendja jonë shpirtërore dhe materiale. Gjendja e individit, bashkëshortëve, familjes, shoqërisë, xhematit dhe Ummetit musliman në përgjithësi.
Kush është humbës, e kush është fitues në Ramazan? Fitues është ai i cili nuk është humbësi, ndërsa, se kush është humbësi, na tregon vetë Muhammedi a.s., i cili në një hadith thotë: “Ka humbur shumë ai cili, në jetën e tij ka arritur pleqërinë të njërit apo të të dy prindërve, dhe nuk e fiton Xhennetin përmes tyre. Pastaj, ka humbur shumë ai i cili ka arritur ta përjetojë Ramazanin, dhe përmes tij nuk arrin që të falet dhe mëshirohet nga Allahu xh.sh., dhe se ka humbur shumë ai i cili, kur përmendem unë, ai nuk e shqipton salavatin.”
Nëse duam të fitojmë sa më shumë nga ky muaj i bekuar, i cili ka ardhur midis nesh me plotë thesare dhe mirësi, atëherë duhet bërë pendim të sinqertë dhe një kthim drejtë vetëanalizës. Ku jemi, dhe në çfarë niveli e kemi lidhjen dhe raportin tonë me Allahun xh.sh.? Sa është e madhe dashuria jonë për të Lartmadhërishmin, Allahun xh.sh.?
Si qëndrojmë me njëri-tjetrin? A jemi të lumtur dhe a kemi rahati shpirtërore?
Të nderuar xhemat, tash është kohë që të përfitojmë nga shkëndijat e mirësisë së Allahut në Ramazan. Shkëndija të cilat, nëse do të depërtonin në shpirtin tonë, do të mjaftonin për të fituar lumturinë e dynjasë dhe të Ahiretit.
Ramazani është një test që provon gjendjen tonë, nëse akoma vazhdojmë të jemi të njejtë, me gibet, injorancë, fitnellëk, hidhërim, me mendime negative, dembelizëm, gjumë, me programe të pahijshme, që vrasin kohën tonë të shenjtë.
Cilin lloj të agjërimit jemi duke e jetësuar? Agjërimin e njerëzve të thjeshtë, apo agjërimin e njerëzve të veçantë, pra atë të elitave? Çfarë do të ndodh me fjalët e neveritshme, me sharjet dhe me dyshimet e paragjykimet?
A do të ngelim kështu edhe pas Ramazanit?
Muhammedi a.s., në një hadith, që e transmeton Ebu Hurejre r.a. thotë: “Ai i cili nuk e ruan gjuhën e tij, pra nuk i braktis fjalët dhe punët e këqija, ai nuk ka nevojë ta braktis vetëm ushqimin dhe pijen.” (Buhari)
Me fjalë të tjera, Ramazani i ngjan shkollës. Mu ashtu siç na ndihmon dhe përgatit shkolla për jetën dhe sfidat në të, ashtu edhe ramazani na dhuron përgatitjen dhe shpirtin e fuqishëm për njëmbëdhjet muaj të tjerë të vitit. Andaj, ai i cili është i zellshëm në këtë muaj, ai do të ketë hajr në çdo kohë tjetër.
Xhemat i nderuar, për fund së bashku me ju, e bëj këtë lutje: Zoti ynë, na ndihmo të gjithëve me ndihmën tënde të madhe. Për hatër të agjërimit tonë, le të zbres ndihma jote për t’u kthyer paqja në botë.
Zoti ynë na përfshi të gjithëve me bereqetin e Mëshirës Tënde, me udhëzimin Tënd dhe me faljen e madhe Tënden, të cilën ua ke premtuar atyre që iu gëzohen ibadevete të muajit të bekuar të Ramazanit. Amin.
(Hutbeja e xhumasë, 10.06.2016, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen, Zvicër)
(Islampress)