Aarburg, 29.10.2016
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bern, Nazane Breca e shoqëruar nga Fatmire Musliu, ministër-këshilltare në Ambasadë, në zyrat e Xhamisë së Bardhë në Aabrgurg zhvilluan një takim me kryetarin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër z. Nehat Ismailin.
Ambasadorja Breca përshëndeti dhe përgëzoi punën dhe angazhimin e Imamëve të cilën në kontinuitet dhe në linjën institucionale janë të organizuar për t’i kontribuar integrimit të tyre në bashkësinë zvicerane. Mes tjerash informoi edhe për qëllimin e vizitës dhe konfirmoi nevojën e një intensifikimi marrëdhëniesh me UISHZ-në rreth një bashkëpunimi të ngushtë në shumë shtigje dhe sfera me përmbajtje të interesit kombëtar.
Kryetari i UISHZ-së Nehat Ismaili e njoftoi ambasadoren Breca rreth UISHZ-së, aktivitetin dhe përkushtimin e imamëve në Zvicër dhe investimin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave universale njerëzore. Në vazhdën e këtij takimi u shkëmbyen opinione mbi angazhimin e imamëve në platformat ndërfetare, nevojën e pashmangshme inkurajuese të fëmijëve për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe.
Në këtë takim, poashtu u fol edhe për rolin e institucioneve fetare në parandalimin e sjelljeve devijante dhe bindjeve të gabueshme religjioze, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit me institucionet vendore, pa mënjanuar edhe përfaqësuesit e sektorit publik dhe fetar këtu në Zvicër.
Në këtë takim, kryetari i UISHZ-së qe i shoqëruar nga anëtari i kryesisë së UISHZ-së, z. Fahredin Bunjaku, kryetar i Xhamisë z. Bashkim Shabani dhe dy anëtarët e kryesisë së xhamisë z. Idriz Dervishi dhe z. Ridvan Qazimi.
Ai thellësisht i shprehu falënderim ambasadores Breca për vizitën e saj, angazhimin dhe përkushtimin që ajo shpalosi, si dhe konfirmoi gatishmërinë për një bashkëpunim frytdhënës në shumë aspekte të interesit të përbashkët për komunitetin shqiptar, në prezentimin e kulturës, traditës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët, duke i vënë në gatishmëri hapësirat e Qendrave Islame edhe për shërbime edukativo arsimore, si dhe për shërbime konsulare për nevojat e vet komunitetit shqiptarë.