Publikuar më: 2 Nëntor 2016
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) shpreh keqardhjen që situata në xhaminë e arabëve “En-Nur” në Winterthur ka eskaluar deri në këtë masë.
Ne kemi besim të plotë në autoritetet e sigurisë dhe të përndjekjes në Zvicër dhe jemi të sigurt se asnjërit nga të arrestuarit nuk do t’i bëhet padrejtësi dhe se drejtësia do ta gjejë vendin e vet.
Nëse vërtetohen dyshimet ekzistuese se kjo xhami ka qenë inkubator i radikalizmin dhe ekstremizmin fetar, kjo do të na dëshpërojë dhe zhgënjejë edhe më tepër. Kjo do të nënkuptonte se përfaqësuesit e kësaj xhamie kanë dështuar në kontrollimin e faltores së tyre. Kjo barazohet, për ne, me një tradhti ndaj Islamit, ndaj xhamisë dhe ndaj të gjithë muslimanëve.
Xhamia është një vend ku adhurohet Zoti dhe ku sqarohet dhe jetohet Fjala e Tij, Fjalë e cila nënkupton paqe, siguri dhe mirëqenie për të gjithë.
Ne besojmë në një Islam të këtillë dhe çdo interpretim tjetër i këtij mesazhi hyjnor do të nënkuptojë për ne një keqinterpretim dhe keqpërdorim të Islamit.
Ne edhe një herë u rekomandojmë përgjegjësve të xhamive që edhe më tej t’i kontrollojnë më ashpër masat e përshtatshme kundër radikalizimit dhe keqpërdorimit të hapësirave të xhamive.