Ditën e shtunë, me datë 17.12.2016, Bashkësia Islame “El-Hidaje“ organizoi tribunën e saj tradicionale fetare kushtuar Muhammedit a.s.
Tribunën e hapi imami i xhamisë El-Hidaje, hfz. Mehas Alija, i cili, fillimisht, tregoi për vlerën e kujtimit të Muhammedit a.s., sidomos në muajin e lindjes së tij, në muajin Rebiul-evvel, si dhe për rolin që duhet të luajnë tribunat në fjalë tek muslimanët e sodit, sidomos tek ato të St. Gallenit.
“Rebiul-evveli na fton, fillimisht, të mendojmë, e pastaj edhe të ndryshojmë. Të ndryshojmë qasjen tonë të përgjumur ndaj Allahut, të përmirësojmë sjelljen tonë ndaj veprimtarisë së Muhammedit a.s., ta ndryshojmë vetveten dhe të tjerët”, janë disa nga porositë e imamit, Mehas Alija që i theksoi në hyrjen e hapjes së tribunës.
Ligjërata kryesore e tribunës u mbajt nga myftiu i Strugës, Mr. Salim ef. Sulejmani, i cili ishte edhe i ftuari special i mbrëmjes kushtuar Muhammedit a.s. Ai theksoi lartë nevojën e njohjes së Muhammedit a.s., sidomos duhet mësuar shumë nga aspekti i botëkuptimit moral, i dhembshurisë, butësisë dhe tolerancës së tij.
Në këtë mbrëmje, përveç ligjëratës dhe fjalimeve nga hoxhallarët, u këndua edhe Kur’an, ilahije dhe mevlud.
Asheret kuranore dhe një pjesë nga mevludi sherif e këndoi hoxha Sadri ef. Ilajzi, kurse për ilahijet e bukura u kujdes Nderim Alimi.
Mbrëmjen kushtuar Muhammedit a.s., e nderoi edhe më shumë prezenca e madhe e xhematlinjve dhe e hoxhallarëve, që kishin ardhur mysafirë prej xhamive të tjera.
Me fjalët e tyre përshëndetëse u paraqitën edhe këto hoxhallarë: Taxhedin ef. Mismi, Samet ef. Bajrami, Nasih ef. Shehu, Sali ef. Murtishi, si dhe magjistri Mensur ef. Zeqiri.
Programi përfundoi me këndimin e disa ajeteve nga Kur’ani dhe më pas, xhamati, zbritën në pjesën e kafeterisë, ku shfrytëzuan rastin që të shijojnë edhe ushqimin dhe ëmbëlsirat e përgatitura enkas për këtë shënim nga xhemati i xhamisë El-Hidaje.