Publikuar më: 28 shkurt, 2017
Më 21 shtator 2016 në Weinfelden, më 8 shkurt 2017 në Amriswil dhe më 21 shkurt 2017 në Kreuzlingen, imami dhe mësuesi i lëndës fetare islame nga Kreuzlingeni mr. Rejhan ef. Neziri ka mbajtur një cikël ligjëratash lidhur me procesin dhe sfidat e radikalizimit të të rinjve muslimanë në Perëndim për drejtorë shkollash, punonjës socialë, psikologë e pedagogë të shkollave në tri qytetet e lartpërmendura në kantonin Thurgau.
Ai fillimisht merret me definimin e termit “radikal” dhe “radikalizim”, çfarë nënkupton ai; ka apo nuk ka terrorizëm islamik; cilat janë grupet militante dhe ekstremiste që ushtrojnë terrorizëm në emër të Islamit; ç’është selefizmi dhe si ndahet ai; e më pastaj i studion arsyet dhe motivet e mundshme të radikalizimit; cilat janë modalitetet dhe proceset e radikalizimit, duke e theksuar në veçanti indoktrinimin dhe keqpërdorimin apo keqinterpretimin e mësimeve islame për ta arsyetuar veprimtarinë politike dhe terroriste; cilat mendime, sjellje dhe tipare shfaqin të rinjtë tanimë të radikalizuar apo ata që ndodhen në procesin e radikalizimit; cilat mund të jenë masat preventive për shoqërinë e gjerë në këtë drejtim, në veçanti cilat janë sfidat më të mëdha për politikën dhe shoqërinë civile, për shkollën dhe përfundimisht për bashkësinë muslimane këtu.
Megjithëse nuk është studiuar aq shumë, sidomos mungojnë të dhënat empirike, kur është në pyetje çështja e radikalizimit të të rinjve muslimanë në Perëndim, prapëseprapë ekziston një literaturë e mjaftueshme për ta kuptuar, së paku teorikisht problemin në fjalë.
Prezantimin dhe një listë literature me këtë tematikë, mr. Neziri gjithnjë ua ka shpërndarë pjesëmarrësve në këto ligjërata.
Të njëjtën ligjëratë imami Neziri pritet ta mbajë më 10 mars 2017 edhe në hapësirat e kishës së reformuar evangjeliste në qytetin gjerman të Konstancës.
Foto nga takimi në Amriswil:
Burimi: www.el-hikmeh.net/xhamia