Me 20 mars, 2017, ditë e hanë, në xhaminë “El-Hidaje”, në St. Gallen, u mbajt seminari i radhës mbi Islamin me aspirantët e shkollës së Policëve nga qyteti i Amrizwilit, në të cilën shkollë marrin pjesë disa kantone të pjesës Lindore të Zvicrës.
Ky seminar realizohet në bashkëpunim me organizatën Islame mbarështetërore, FIDS, e cila është kupolë e disa organizatave të tjera islame.
Programi filloi në ora 07:30 të mëngjesit dhe përfundoi në ora 18:00. Në këtë seminar morën pjesë katër klasa, ku secila kishte rreth 25 pjesëmarrës.
Pritjen e mysafirëve e bëri imami i xhamisë, Mehas Alija, së bashku me anëtarët e kryesisë, Qemal Rushitin dhe Muhamed Muratin, si dhe sekretari gjeneral i FIDS, Reha Özkarakash.
Programi i ditës ishte i tillë që përfshinte vizitën dhe paraqitjen e hapësirave të xhamisë. Po ashtu, një paraqitje nga imami i xhamisë në lidhje me atë se çfarë paraqet xhamia te muslimanët dhe se çfarë paraqesin Mihrabi, Minberi, Kursija, mesxhidi, etj. Ndërsa, Qemal Rushiti, anëtar i Këshillit të xhamisë, secilës klasë, u foli për historikun dhe proceset e zhvillimit të Bashkësisë Islame El-Hidaje.
Aspirantët e Shkollës policiore patën mundësi të dëgjonin edhe një prezantim në lidhje me Islamin dhe muslimanët, me theks të veçantë për organizimin e muslimanëve në Zvicër, nga Sekretari gjeneral i FIDS-it, Reha Özkarakash.
Në fund, secila klasë kishte përgatitur edhe pyetjet e tyre, ndaj të cilave u përgjigjën imami i xhamisë Mehas Alija dhe Reha Özkarakash.
Këtë seminar e nderoi edhe prezenca e tij, drejtori i Shkollës së Policisë, Marcus Kradolfer.