Në kuadër të projektit “vizitë xhamive shqiptare që nuk janë anëtare në UBISHZ”, më datë 17 janar 2018, udhëheqësit e UBISHZ-ës, kryetari, sekretari dhe nënkryetari i kuvendit, vizituan xhaminë shqiptare në Netstal ku u pritën ngrohtësisht nga kryesia dhe xhemati i kësaj xhamie.
Pas faljes se namazit të jacisë, kryetari i UBISHZ-ës, hfz. Mehas Alija, mbajti një fjalim para xhematit të kësaj xhamie ku i njoftoi ata për transformimin e Unionit të imamëve shqiptar në Union të Bashkësive dhe Qendrave Islamike Shqiptare të Zvicrës.
Kryetari i UBISHZ-së, gjatë fjalimit të tij, theksoi se bashkimi i të gjithë shqiptarëve nën një çati apo Bashkësi Islame ka qenë një ëndërr e kamotshme e xhemateve shqiptare këtu në Zvicër, e që me ndihmën e Zotit po bëhet realitet. Në këtë organizatë islame, që shërben në dobi të të gjithë shqiptarëve mysliman, janë të anëtarësuara rreth 40 xhami dhe qendra islame, e shpresojmë që në të ardhmen të na bashkëngjiten edhe xhamitë e tjera, në mënyrë që të jemi edhe më të fuqishëm, pasi bashkimi bën fuqinë.
Në vijim, kryesia e kësaj xhamie u informua edhe për synimet dhe qëllimet e kësaj organizate, procedurën se si të anëtarësohen në këtë institucion, etj.
Në fund, nga ana e kryesisë së xhamisë së Netstalit ishte organizuar një koktej rasti.
Sekretari
Enes Koshi