Të shtunën, më 27.01.2018, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi konferencën e tretë me temë “Roli i imamëve në shoqërinë moderne”, në të cilën konferencë mori pjesë edhe kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Mehas ef. Alija. Ne shoqëri të kryetarit të UBISHZ-së ishin edhe kryetari i Kuvendit të UBISHZ-së, H. Abdullah Mustafa dhe zv.kryetari i Kuvendit, H. Ylber Shihin.
Tema për të cilën foli kreu i UBISHZ-së ishte rreth rolit të imamit shqiptar në kontekstin evropian, duke u fokusuar më tepër në përvojën e imamëve shqiptarë në Zvicër.
Konferenca mblodhi së bashku akademikë, teologë, studiues dhe ekspertë të fushave të ndryshme nga Shqipëria, Gjermania, Jordania, Zvicra, etj., të cilët ndanë me të pranishmit eksperienca dhe përfundime kërkimore.
Konferenca u hap me këndimin e ajeteve Kur’anore, ndërsa më pas vijoi fjala e përshëndetjes nga kryetari i KMSH-së, Skender ef. Bruçaj, i cili, përveç që falënderoi mysafirët për pjesëmarrjen e tyre, vlerësoi lartë edhe rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla, për faktin se mënyra e interpretimit të islamit, por edhe mënyra e të jetuarit, varet shumë edhe nga udhëheqësit fetarë, respektivisht imamët.
Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana u uroi mirëseardhjen dhe theksoi kontributin e KMSH-së në edukimin dhe arsimimin e brezave.
Paneli i moderuar nga nenkryetari i KMSH-se, z. Bujar Spahiu ishte i perbere nga Drejtori i Institutit për Përgatitjen e imamëve “Mbreti Abdullah i Dytë”, Dr. Reshad el-Kejlani , Imami i Xhamisë së Shqiptarëve në Hamburg (Gjermani), Zulhajrat Fejzullahi, Kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Hoxhë Hafiz Mehas Alija, dhe pedagogu nga Kolegji Universitar Bedër, Dr. Xhemal Safarti.
Në konferencën e zhvilluar në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kryesisë së KMSH-së, studiues, myftinj dhe imamë nga e gjithë Shqipëria.