Seminari II islam në Regensdorf
Seminari i dytë islam
Përfundoi me sukses seminari i dytë islam me të rinj, që tash është bërë një traditë e mirë e këtij lloji në organizim të xhamisë së Regensdorfit, Zvicër. Seminari u mbajt ditën e diel më datë 01.04.2012 në hapësirat e xhamisë së Regensdorfit me një pjesëmarrje mbi 50 të rinj nga xhamia e Regensdorfit, Zürichut, Aarburgut dhe Affoltern am Albisit. Seminari u hap me këndimin e disa ajeteve kur’anore nga ana e h. Nuhi Zendelit, pastaj fjalën e pati imami nikoqir mr. Ferit Zeqiri që njëherazi edhe e moderoi seminarin ku pas falënderimit të Allahut dhe salevateve mbi Muhamedin a.s. përshëndeti dhe falënderoi të gjithë të pranishmit, dhe në veçanti falënderoi ligjëruesit prof. Tahir Zeneli nga Tirana dhe mr. Rejhan Neziri, imam në xhaminë e Kreuzlingenit dhe njëherazi kryetar i Unionit të imamëve shqiptarë në Zvicër. Kësaj radhe në seminarin një ditor u trajtuan dy tema edhe atë: „Formimi i personalitetit të muslimanit bashkëkohor“, që u trajtua nga prof. Tahir Zeneli, dhe : „Emigrimi, imigrimi dhe integrimi i muslimanëve“, që u trajtua nga mr. Rejhan Neziri. Përgatitja dhe trajtimi profesional i temave nga ana e ligjëruesve pa dyshim se zgjoi interes të jashtëzakonshëm te të pranishmit. Ligjëratat pasoheshin nga diskutime dhe pyetje të shumta nga të rinjtë. Xhamia e Regensdorfit falënderon të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e seminarit dhe shpreson që ky aktivitet të mbetet tradicional.