Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
“Mos u ligështoni, dhe as mos u pikëlloni. Ju, gjithsesi, jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran, 139).
Xhemat i dashur, të respektuar vëllezër dhe motra!
Do ta filloj këtë hutbe të kësaj dite të bekuar xhumaje me një thënie të Muhammedit a.s., e cila është një konsideratë e lartë për shokun e tij më të ngushtë, hz. Ebu Bekrin. Ai, s.a.v.s., thotë: “Ebu Bekri nuk është më i mirë prej jush, për shkak se ai agjëron apo falë namaz më shumë se sa ju, por ai ua ka kaluar juve për shkak të asaj që ai ka në zemër, e ajo është dashuria ndaj Islamit dhe dashuria e tij për njerëzit që ta ndjekin të vërtetën.” (Ebu Bekr ibn Ajjash). Kurse vetë Ebu Bekri për veten e tij, pati thënë: “Pasha Allahun, asnjëherë nuk kam fjetur aq gjatë, sa të mundja edhe pak të ëndrroja. Pak jam ulur dhe aspak nuk kam qenë neglizhent. Jam munduar të eci, gjithmonë, në rrugën e drejtë.”
Ja pra, xhemat i dashur, ky ishte Ebu Bekri, që kaq të madh, e të paharrueshëm e bëri Islami dhe besimi i sinqertë në Allahun xh.sh. Ai, për asnjë moment, nuk e harroi vetveten dhe raportin e tij me Allahun xh.sh. Ai, gjithashtu, nuk harroi as edhe një moment të jetë human, i dashur dhe përkrahës i të dobëtëve dhe nevojtarëve. Ai ishte kryetar i muslimanëve, por natën shkonte dhe ju ndihmonte pleqve, kurse në mëngjes ju ndihmonte jetimëve.
Po si sot, pasardhësi i këtij gjiganti u bë kaq harrestar? Ky insan i ditëve të sodit, si harroi se ka njerëz të tjerë, vëllezër dhe motra, që presin ndihmën e tij? Po çuditem se si sot muslimani shikon vetëm strofullën e tij, karrierën dhe pozitën e tij, ndërkohë ka harruar se një tjetër musliman, në një pjesë tjetër të botës, edhe pse çdo ditë e shikon gjendjen e tij, po digjet flakë i hedhur midis gomash të makinave, ndërsa tjetëri po ngrinë nga ftohti i madh. Si u bëmë kaq neglizhentë? Kush na e ujdisi këtë rahatllëk? Mos vallë është namazi ynë? Mos, vallë, këtë standard na e ndërtoi Kur’ani ynë?
Ju sigurisht e këni dëgjuar Ejub El-Ensariun. Ai ka qenë një sahabi i madh i Muhammedit a.s. E dini çfarë ka ngjarë me të? Ai jetoi me Muhammedin a.s. në Medine, por varrin e ka në Stamboll. Derti që kishte për muslimanët, nuk e la që të lexonte i qetë Kur’an. Një ditë, teksa po lexonte Kur’anin, dëgjoi se bëhej thirrje për luftë. Ai, siç ishte duke lexuar, mbylli mus’hafin dhe veshi mburojën e luftës. Të gjithë djemtë që i kishte, i thanë: “Baba, ti je i moshuar për luftë. I ke bërë gati 90 vite. Ulu e lexo Kur’an dhe mos rreziko veten.” Kurse ai ua dha këtë përgjigje: “Bijtë e mi, ju më thoni të ulem ta lexoj Kur’anin, por kur unë e lexoj atë, ai më thotë ngrihu!” (N. Erbakan, Kauza jonë, 2016).
Një Kur’an që na thotë të ngritemi dhe t’ju dalim në ndihmë njerëzve të pafajshëm, janë ose nuk janë muslimanë, është Kur’ani i vërtetë, Kur’ani që e solli Xhibrili a.s.
Muslimanë, si duket, ne e kemi harruar pozicionin tonë në këtë botë. Nëse vetëm duhet të falemi dhe t’i tërheqim tesbihët, e nga ana tjetër, të mos interesohemi se ç’ndodh me muslimanët e tjerë nëpër botë, atëherë mendoj se e kemi gabuar rrugën e Islamit të vërtetë. Duhet kthyer te ai Islam që na thotë: Ju jeni vëllezër, ju jeni si një trup. Nëse një pjesë e trupin vuan, vuan edhe pjesa tjetër e tij!
Duhet kthyer te ai Islam, i cili na thotë: Punoni me tërë fuqinë dhe potencialin që e keni për të mirën dhe lumturinë e njerëzve!
Duhet kthyer te ai Islam që thotë: O muslimanë, mos lejoni të turpërohen vëllezërit dhe motrat tuaja nëpër botë. Mos lejoni asnjë terrorist të nëpërkëmbë dinjitetin dhe vlerën e Ummetit tuaj!
Ne, medoemos, duhet ta plasojmë dhe sqarojmë të vërtetën në këtë vend. Nëse një shqiptar, me emrin Sinan Arkitekti, ndërtoi xhamitë, pallatet dhe kështjellat më të bukura të Perandorisë Osmane, a nuk paska sot Zvicra shqiptarë muslimanë që të ndërtojnë kështjellën e suksesit, të shkencës, të teknologjisë, familjes së shëndosh, besës, mirëkuptimit, paqes dhe të stabilitetit midis njerëzve?
Xhemat i shtrenjtë!
Sot duhet të na thotë Kur’ani, ngrihuni dhe mos i turpëroni muslimanët. Ju të rinj që mësoni, Kur’ani ju thotë mos mësoni vetëm për veten tuaj. Ju që punoni, Kur’ani ju thotë, mos punoni vetëm për mbushjen e bankave tuaja. Ju që keni kohë të lirë, Kur’ani ju thotë, ndihmojuni atyre që janë të zënë. Muslimani është si uji, i dobishëm për të gjithë.
Në Ditën e llogarisë do të qëndrojmë përpara Allahut xh.sh. dhe Ai ka për të na pyetur se ç’bëmë për Islamin. Do t’i themi: “O Zot, ne jemi falur”. Këtë e keni bërë vetëm për vetën tuaj, do të thotë Allahu, çfarë bëtë tjetër për Islamin dhe muslimanët? Çfarë bëtë për të mirën e njerëzve?
Të dashurit e mi, bota sot ka nevojë për dorën e bardhë të muslimanëve, për mendjen e ndritur të dijetarëve të tyre, për shpirtin e pastër të besimtarëve dhe për punën e pa ndalur të të rinjve të tyre. Ne duhet të bëjmë punën tonë, kurse suksesin e lëmë në dorën e Allahut xh.sh.
(Hutbeja e xhumasë, 27.01.2017, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen)